Tuesday, April 13, 2010

A NDAHET KOMBI YNË SA HERË SHEMBET DHEU NË KALIMASH?

Në Republikën e Shqipërisë (e jo në Shqipëri) dhe në atë të Kosovës, mungon politika legale që mbështet idenë e bashkimit kombëtar. Edhe atëherë kur flitet për këtë, kjo është e mbështjellë më shumë me elemente partiake, sesa kombëtare.Cila është çështja në këtë kohë të hyrjeve në organizata mbishtetërore a mbikombëtare… A duhet që fillimisht të integrohesh, ndaras, apo më parë duhet bashkimi, e pastaj inkuadrimi? Ideja e bashkimit në një vend tjetër, është e prirë të mos jap asnjëherë atë që thuhet se ky është bashkimi!Dekadave të fundit më të madhe flitet për zvogëlimin e rëndësisë së shteteve sovrane apo për pranimin e zbehjes së identiteteve të tyre kombëtare. Por, tri gjëra janë të pranishme në këtë mishmash idesh a preokupimesh. E para, ‘asnjë shtet nuk e harron territorin e tij’. E dyta, ‘mund ta vendosni një francez në Gjermani, por, ai, asnjëherë më shumë nuk do ta ndiejë veten të qenit francez’. Dhe, e treta, shtetet dhe kombet, padyshim se, nuk janë të mjaftueshme për vetvete.Shkalla e sotshme e zhvillimit, “i detyron” të gjitha kombet dhe shtetet e botës të hyjnë në kontakte dhe lidhje të shumëllojshme reciproke, fjala vjen: politike, ekonomike, deri te ato arsimore-kulturore. Andaj, duke qenë se kjo është prezente tek të gjithë, e po ashtu edhe dallueshmëria, “të gjithë” e kanë pranuar (të paktën në ide) ‘unifikimin në diversitet’. Duke e pranuar një dallim të tillë, ato nuk priren të jenë më ndryshe. Madje shtetet që e propagandojnë këtë janë aq të fuqishme sa të mos ndryshojnë vetën.Sot ekziston ideja, të paktën ndër shqiptarë se, duke hyrë në Bashkimin Evropian, nënkuptojmë edhe bashkimin kombëtar, nën një ombrellë tjetër. Por, një ide tjetër e kundërt me këtë, është se, më parë duhet të arrihet ky bashkim, e pastaj, të tillë të hymë në këtë organizatë shtetesh. Dhe, e fundit, se, duke bërë një organizim të tillë, rëndësia e identitetit kombëtar po zbehet, sepse, shtetet në mënyrë vullnetare, përmes një kontrate po heqin dorë nga disa pjesë të tyre, për ideale më të rëndësishme, që nuk janë në kundërshtim as me identitetet e tyre, porse, kjo heqje dorë nënkupton ta pranosh edhe tjetrin dhe të pranohesh nga tjetri.Pra, të bashkuar në dallueshmëri, është slogani që mëton të realizohet kjo gjë. Prandaj, ideja e tretë, më së shumti i kundërvihet idesë së bashkimit kombëtar si fillim, e më pak idesë së parë, ku bashkimin mund ta realizojmë dikund tjetër.Në rastin e shqiptarëve gjendja është pak më ndryshe, sepse, për dallim nga të tjerët, hyrja në Bashkimin Evropian dhe pranimi i të tjerëve ashtu siç janë, bëhet duke mos qenë në gjendje të japësh vlerësime për të tjerët, në fakt, më i rëndësishëm është opinioni i tyre për ne.Në qershorin e kaluar kishte një shfaqje që thoshte se shqiptarët po bashkohen. U tha te Kalimashi. Por, ishte shumë e pasinqertë. Llaf goje. Aty për kombin si një dhe të parin, u fol më shumë nën valëvitjen e flamujve partiak, sesa atij kombëtar. Kjo ishte një shfaqje politike e kryetarit të PD-së, Sali Berishës, në prag të zgjedhjeve të qershorit, dhe se nuk ishte një paradë ku kalonin dy liderë që synonin të shembnin përnjëmend atë që nuk lejon bashkimin. E që kjo ishte një propagandë e çartë politike, e tregon përngutja që ajo shembja simbolike të bëhej pak para se të votohej. Nëse kjo rrugë është bashkuese e kombit, atëherë a i bie kjo që sa herë shembet dheu në tunel, të ndahemi?! Apo sa herë që ndodh e kundërta, të bashkohemi?!Sigurisht se ky është një ironizim i gjithë kësaj që po ndodh. Shqiptarët as nuk do të bashkohen, e as nuk do të ndahen, sa herë t’i teket prirjeve natyrore apo ligjeve të gravitetit. Qoftë edhe kur dheu mbahet apo e mbajnë, shqiptarët nuk i bashkon kjo gjë. Madje është e çuditshme ta quash “rrugë e kombit” kur përmes saj interesat ekonomike do t’i realizojnë edhe vendet tjera që kanë ambicie territoriale në dëm të Shqipërisë.Një Republikë e Shqipërisë që nuk ka politikë legale për bashkimin e kombit, dhe një Kosovë që nuk është e ndërtuar në historinë e së kaluarës, nuk mund të japin si rezultat bashkimin klasik. Kosova nuk është e projektuar në bazë të së shkuarës (në bazë të historisë që është e përbashkët), por në idenë e asaj që do të ndodh, asaj që nuk dihet se çfarë do të jetë, por që shihet me optimizëm.Merreni Preambulën (Pjesa Ideore) e Kushtetutës së Kosovës, aty duke mos shkruar për të shkuarën vihet në pikëpyetje nëse ka ndodhur ndonjëherë. Në këtë pjesë thuajse gjithçka është e përqendruar në të ardhmen, fjala vjen sikurse në fillim të saj, e që është: “Ne, populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet”. Pra, për të ‘ndërtuar të ardhmen’, duke mos përmendur as këtu, por, as edhe në vazhdim ‘të kaluarën’.A duhet të rikthejmë kohën dhe të përmbysim gjithçka që është bërë? Natyrisht se jo. Madje kjo është e ditur, dhe që mëtohet. Sepse edhe po ta mendonim këtë, kjo është e pamundur. Por, ajo që duhet bërë është bashkërendimi dhe hartimi i politikave të përbashkëta, të cilat, lidhjen emocionale që ekziston sot, ta kthejnë në një lidhje fizike, e cila për shumë kohë nuk ka ekzistuar.Më 2012 do të jetë 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Gati njëqind vjet pas nuk ka politikë të tillë.
- - -
Botuar ne "Zeri" 1 shkurt, dhe "Express" 2 shkurt 2010

Monday, January 4, 2010

DITË QË NDNRYSHOJNË BOTËN TONË?!

Nga: VALMIR ELEZI
- - - - -
Që “Asgjë nuk mund të realizohet pa njerëzit”, dhe që “Asgjë nuk është e qëndrueshme pa institucionet”, e thënë nga Zhan Mone, nuk është diçka e re. Kur kontinenti i vjetër, Evropa, ishte në rrezik të zhdukej, apo njerëzit filluan t’i merrnin më me seriozitet profecitë e ndryshme, në lidhje me vdekjen e kontinentit, për shkak të gjendjes së vështirë pak kohë pas përfundimit të luftës së dytë botërore, filloi të jetësohej ideja e një Evrope të “unifikuar në diversitet”. Edhe Mone ishte pjesëmarrës i kësaj. Qëllimi, qysh edhe atëherë, por edhe tashti, është të ndërtohen institucionet të cilat do ta rikthenin ndikimin e Evropës në politikën globale. Sepse, në atë kohë fati i saj vendosej mes Uashingtonit dhe Moskës. Mjaftonte shënjimi i vijave me dorë të lirë nga Rusvelti dhe Stalini mbi hartën e Evropës.
Arsyeja pse po i përmend të gjitha këto, nuk është se: kam frikën nga rreziku i zhdukjes së kësaj që ka arritur Kosova, brenda një momenti, sepse, në përgjithësi, e kaluara ka qenë më e rrezikshme sesa e tanishmja. Porse, është pikërisht ndërtimi i atyre institucioneve që bëjnë të qëndrueshme ‘diçka’.
Teoritë e ambiciozëve shkojnë edhe përtej kësaj, që zgjerimi i BE-së, mund të kalojë “normalitetin”. Dhe, pra, nga një periudhë “me një këmbë në varr”, deri tek një epokë që rikthen ndikimin e saj.Përmendja e gjithë kësaj, është në kontekstin e njerëzve që do të jenë ndërtues të institucioneve demokratike, që ai që i zgjedh e dinë se po e bënë këtë.
Sipas teorisë bashkëkohore politike, mbajtja e zgjedhjeve demokratike e pluraliste, është element, jo i nevojshëm, por, i domosdoshëm, i funksionimit të demokracisë, në një vend. Lokalet e 15 nëntorit, ndodhën pa ndonjë problem të madh, që do të rrëzonte idenë e përmirësimit të vendit tonë. Por, ç’gjë i dalloi këto zgjedhje nga të gjitha të kaluarat?!
Lawrence Mayer, kulturën politike, e ka renditur, si njërin nga faktorët kryesor që ndikon në formimin e identitetit politik të vendëve. Sipas teorisë së tij, qëndrimet politike mund të ndahen në tre lloje: autoritariste, barazitare dhe respektuese. Qëndrimi autoritarist, sipas autorit, nënkupton: besimin e verbërt të qytetarëve për pushtetmbajtësitë, duke i konsideruar si të pagabueshëm, duke mos i dhënë llogari atyre që i kanë zgjedhur. Qëndrimi barazitar, përmbledhet në faktin se, qytetarët janë të bindur se çdonjëri nga pjestarët e tyre 'mund' dhe 'është në gjendje' të qeverisë me vendin. Dhe, qëndrimi respektues, që konsiston një përzierje e dy qëndrimeve të përmendura.Ideja e përkrahjes dhe besimit të verbërt për pushtetmbajtësin lokal apo edhe më gjerë, si të pagabueshëm, është në kundërshtim edhe me idenë se, ekzistenca e një shoqërie të lirë mbështetet në virtytet qytetare të anëtarëve të saj, duke pranuar se, nuk mund të posedosh të drejta pa detyra.
Pra, mungesa e theksimit të një kulture politike të mirëfilltë, respektivisht barazitare, veçmas deri para pak kohësh, ka bërë që populli (gjithkushi) të ndikohet shumë lehtë, duke mos thirrur ndryshimin. Shpjegimi i kësaj qëndron në atë se: “Publiku nuk është konkret dhe i materializuar, por është vetëm një konstruksion i ndërtuar nga fjalimet demagogjike të folësit“.
Qoftë zgjedhjet e kaluara, por, edhe këto të mabjtura rishtas, lënë të kuptohet se janë mundësi që të thehet “tradicionalizmi“ i të votuarit, që mbante gjërat të “palëvizshme“. Por, e arritura e këtyre zgjedhjeve, për dallim prej tjerave, është fryma pozitive e pranimit të realitetit politik, nga komunitetet, veçmas ai serb. Që kjo është mënyrë e veçantë e pranimit të ‘diçkahit’ tregojnë edhe emrat e subjekteve politike serbe, të cilët përmes mënyrës së vjetër, po e pranojnë gjendjen e re.
- - - -
Botuar në gazetën "Express", Prishtinë.

Monday, August 17, 2009

FLUTURIMI PËR NË "BOTËN TJETËR"?

Ata që po kalojnë nga një parti në tjetrën, normalisht që për t’i bërë përshtypje shefit të ri shajnë atë që dikur i shfaqnin “besnikëri”. Mënyra më e përshtatshme dhe ndoshta edhe e pëlqyeshme prej shefit të ri, është diskreditimi i politikës së vjetër, pjesë e së cilës ishin edhe vet.

Ø

Shkruar nga:

VALMIR ELEZI

Ø

“Fluturimi” i njerëzve nga një parti në tjetrën këtu te ne po ndodh në mënyrë qesharake. Ose, thënë më mirë, ata që po i ndërrojnë partitë janë njerëz palaço. Ndërsa atyre që i pranojnë anëtarët e rinj, kjo iu mundëson rrahjen e gjokseve para çdokujt prej nesh, duke i paraqitur ata, së pari si shumë babaxhanë, dhe, së dyti, si shumë të uritur dhe njerëz që janë të gatshëm të përpijnë gjithçka. Këta palaço (sikur të jenë punëtor cirku), do të marrin vetëm një buzëqeshje nga shefi gjatë prezantimit në partinë e re. Thjesht, sa për sy e faqe. Njerëz që përdoren për ta manipuluar dhe konstruktuar opinionin publik. Politika të tilla mendohen të jenë dritëshkurtra, por në rastin tonë është vështirë e përcaktueshme kohëzgjatja e saj.

Ø

Ata që po kalojnë nga një parti në tjetrën, normalisht që për t’i bërë përshtypje shefit të ri shajnë atë që dikur i shfaqnin “besnikëri”. Mënyra më e përshtatshme dhe ndoshta me e pëlqyeshme prej shefit të ri, është diskreditimi i politikës së vjetër, pjesë e së cilës ishin edhe vet. Madje, janë në gjendje të tregohen të vëmendshëm që t’i rrinë gati egos së bosit të tyre, sikur tjetërkujt dikur. Të gjithë këta, këtu, po e bëjnë këtë.

Ø

Duke u munduar ta paraqesin dëshirën e tyre (të brishtë) për një politikë më të mirë, sesa ajo që dikur ishin pjesë e saj, këta njerëz po dalin edhe më keq. Pak e rëndësishme është për ata ideologjia e partisë. Teorikisht, këtu, një Simone de Beuavoir mund të kalojë në një parti ku elementi bazë i ideologjisë së saj është superioriteti i mashkullores. Pra, edhe nëse do të ishte një feminist i pandreqshëm, ai, do të ishte i kujdesshëm të uronte në stilin e ri (që nuk e ka në qejf): “Me një djalë”.

Ø

Dikush do të thotë se ndërrimi i partive është normal, demokratik, vendim individual, etj. Dakord! Por, është shumë i turpshëm pretendimi i X individi për ta paraqitur partinë A (që dikur ishte pjesë e saj) si vend ku “sorra ashtin mos ta qoftë”. E, të njëjtin opinion (dikur) e kishin për partinë nga e cila tash presin përmbushjen e interesit të tyre personal, dhe jo interesit publik, siç e thonë në mënyrë demagogjike. Ata që ikin prej një X subjekti politik në ndonjë parti tjetër, thonë se nuk ka demokraci brenda saj. Ngjashëm, edhe ata që vijnë në këtë parti i tregojnë përparësitë e saj dhe ndjehen të shqetësuar për “të zitë e ullirit që kanë hequr” sa ishin diku tjetër.

Ø

Për politikën antipolitike që mendojnë ta gjejnë në partinë ku shkuan…, për politikën që nuk e ka karakterin e manipulimit dhe artin e përshtatjes, manovrimit apo intrigës, është utopi. Rrugë që nuk e ndryshon gjendjen ekzistuese. Sepse, e gjithë shtresa e politike te ne është e ngjashme. E mbushur me makiavelizëm. Vrapues pas interesave personale. Interesat e publikut janë dytësore. Për mua kjo është e natyrshme dhe nuk do të prisja diçka tjetër. Por, tentimi i disave për ta paraqitur një parti më ndryshe sesa tjetrën, larg intrigave të zakonshme, është pikërisht fotografim i vetvetes si intrigant a manipulues, që këta individë arrijnë ta shohin, apo pranojnë, këtë përbuzje me vetëdije. E ngjashme sikurse në Evropën mesjetare, ku çdo njeri ia detyronte postin e tij në hierarki dikujt tjetër. Nul homme sans seigneur. Kur fisniku binte nga posti, ai që përkrahej prej tij gjithashtu ishte në rrezik të madh, sigurisht nëse nuk arrinte brenda kohës së nevojshme t’i shfaqte besnikëri bosit të ri.

Ø

Botuar në Gazetën “Express”, Prishtinë, 7 gusht 2009

Tuesday, July 7, 2009

KUNDËRSHTIMI i MADH

Shkruar nga:

VALMIR ELEZI

Ø

Përcaktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ka zgjuar reagime të shumta, e, në mesin e zhurmaxhinjëve më të mëdhenj ishin opozita, e cila ndonëse deri diku me arsye (të paktën për motin e papërshtatshëm që presim të jetë i ngjashëm më atë të 17 nëntorit 2007), e deri diku sa për të luajtur rolin e opozitarit, që zakonisht është kundërshtues, për të mos qenë në linjë me vendimet e kundërshtarëve politik.

Ø

Në prag të zgjedhjeve, fushatat fillojnë edhe më herët. Kështu kishte filluar edhe me të tjerët që dikur ishin në opozitë, e, që, kishin formuar një bosht opozitar. Ndërsa ‘të tjerët’ e tashëm, këtë e filluan me vonesë për shkak të dështimit të krijimit të një boshti politik. Përderisa të parët ‘Qeverinë nën hije’ e kishin formuar si të vetëm për shkak të mos mungesës së kushteve, të dytët, duke mos pasur komoditetin nuk arritën të formonin një “qeveri” (jovendimmarrëse, por, si alternativë morale e paralele me atë legjitimuese), për shkak të mungesës së unifikimit përbrenda grupeve të ndryshme. Praktikat e partive opozitare në vende të ndryshme të botës, por, edhe në Kosovë, sidomos kur veprojnë, si ‘Qeveri nën hije’, kanë dhënë rezultate sidomos për ato parti që i kanë praktikuar, duke ia mundësuar edhe ardhjen në pushtet. Ngjashëm kishte vepruar edhe PDK, përmes KQM, duke e shëndërruar veten në një pasqyruese të një realiteti tjetër, për dallim nga ai që propagandohej nga të tjerët. Ky model britanik i “Qeverisjes nën hije”, paraqet qeveri opozitare, e cila funksionon si kundërqeveri e ekzekutivit zyrtar, e cila, pra logjikisht, formohet nga partitë opozitare, si alternativë ekzekutive dhe si formë e luftës politike që bënë opozita për të ardhur në pushtet. Kjo qeveri fiktive, përbëhet nga resorë të ngjashëm me atë të qeverisë zyrtare, duke ofruar zgjidhje që qëndrojnë pezull, të mosvëna në zbatim dhe që tregojnë dobësinë e vendimeve të marra. Çështjet e ngritura në debatet e fundit e kanë rikthyer deri diku gjendjen fragjile që ka ekzistuar kohë më parë këtu, dhe ka ngritur shqetësime që duhen qartësuar, e jo të mbesin në nivelin e një demagogjie politike.

Ø

Njëra nga çështjet tjera të ngritura është edhe, se, a do të marrin pjesë në këto zgjedhje serbët e Kosovës?! Duhet thënë se, qysh në fillim është krijuar baza e dyshimit. Është vënë në pikëpyetje pjesëmarrja e tyre, pasi që, serbëve të Kosovës i është menduar edhe një ditë tjetër për të votuar, nëse këtë nuk do të mund ta bënin në ditën e caktuar.

Ø

Kjo (ndoshta pavetëdijshëm) na ka larguar nga një dyshim tjetër. Pra, çështja e gjithë kësaj çështje është se, a do të jenë shqiptarët ata që do të jenë të gatshëm të dalin në zgjedhje?! Sepse, tanimë nuk mund të dyshohet vetëm për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por, edhe të shqiptarëve, të cilët duket se, nga një konstruksion i fjalëve të politikanëve, kanë filluar që përmes mospjesëmarrjes të ndëshkojnë politikat. Dikush do të thoshte se, vota do të duhej të ishte ajo që do të ndëshkonte politikat e një qeverie (në këtë rast lokale) duke e larguar nga pushteti. E, në këtë mënyrë të sjellte në pushtet njerëz tjerë. E saktë! Por, duke qenë se, ka munguar ndryshimi i gjendjeve edhe pasiqë është votuar (e ndërruar), mospjesëmarrja në votim është kundërshtimi më i madh që mund të ndodh.

Ø

Kultura politike në Kosovë, e qytetarit, nga një i ndikuar shumë lehtë, madje deri në absurditet duke mos lejuar ndryshimin e gjendjes ka filluar të ndryshoi qysh në zgjedhjet e kaluara. Prapëseprapë, kundërshtimi më i madh në zgjedhjet e kaluara ishte i shprehur në dy forma. E para, ndëshkimi përmes votës ata që nuk punuan në rritjen e mirëqenies. Dhe, e dyta, përmes mospjesëmarrjes (që ishte relevante), ngaqë nuk prisnin ndonjë ndryshim. Në fakt, në krahasim me të tjerët, ndryshimi ka ndodhur. Mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka të bëjë me luksin e tepruar dhe në këtë mënyrë përtesën, madje injorimin e gjithë kësaj, sikurse që mund ta kenë të tjerët, në vende tjera. Domëthënia kryesore e gjithë kësaj është se, këtu mund të ndryshohet, e ndëshkohet.

Ø

Lawrence Mayer, kulturën politike e ka radhitur si njërin nga faktorët kryesor që ndikojnë në formimin e identitetit politit të vendëve. Sipas kësaj teorie qëndrimet politike mund të jenë: autoritariste, barazitare dhe respektuese. Qëndrimi autoritarist, nënkupton: besimin e verbërt të qyetarëve për pushtetmbajtësit, duke i konsideruar si të pagabueshëm dhe duke mos kërkuar llogari nga ata që i kanë zgjedhur. Qëndrimi barazitar, konsiston në faktin që, qytetarët janë të bindur se çdonjëri nga pjesëtarët e tyre mund dhe është në gjendje të qeverisë me vendin. Dhe, qëndrimi respektues, konsiston në një përzierje midis dy qëndrimeve të përmendura. Duke filluar nga nëntori i 2007-ës, është “thyer” tradicionalizmi i të votuarit që nuk ndryshonte asgjë. Në fakt, ishte i theksuar qëndrimi autoritarist dhe besimi i verbërt për liderë të palëkundur, që janë krijuar vetëm për të mbrojtur interesat e “gjithkujt” e jo të vetat.

Ø

Botuar në gazetën: SHQIP & TemA (Tiranë) dhe EXPRESS (Prishtinë)

Wednesday, June 3, 2009

LAMTUMIRË, BASHKIM KOMBËTAR?

Shkruar nga:

VALMIR ELEZI

Ø

Në këtë kohë të integrimeve në organizata supershtetërore e mbinacionale, me të madhe flitet e shkruhet për zvogëlimin e rëndësisë së shteteve sovrane, për pranimin e zbehjes së identiteteve të tyre kombëtare, por, tri gjëra janë të pranishme në këtë mishmash idesh a preokupimesh. E para, ‘asnjë shtet nuk e harron territorin e tij’. E dyta, ‘mund ta vendosni një francez në Gjermani, por, ai, asnjëherë më shumë nuk do ta ndiejë veten të qenit francez’. Dhe, e treta, shtetet dhe kombet, padyshim se, nuk janë të mjaftueshme për vetvete. Shkalla e sotshme e zhvillimit, “i detyron” të gjitha kombet dhe shtetet e botës të hyjnë në kontakte dhe lidhje të shumëllojshme reciproke, fjala vjen: politike, ekonomike, deri te ato arsimore-kulturore. Andaj, duke qenë se kjo është prezente tek të gjithë, e poashtu edhe dallueshmëria, “të gjithë” e kanë pranuar (të paktën në ide) ‘unifikimin në diversitet’.

Ø

Sot ekziston ideja, të paktën ndër shqiptarë se, duke hyrë në Bashkimin Evropian, nënkuptojmë edhe bashkimin kombëtar, nën një ombrellë tjetër. Por, një ide tjetër e kundërt me këtë, është se, më parë duhet të arrihet bashkimi kombëtar, e pastaj, të bashkuar të hymë në këtë organizatë shtetesh. Dhe, e fundit, se, duke hyrë në një organizatë të tillë, rëndësia e identitetit kombëtar po zbehet, sepse, shtetet në mënyrë vullnetare, përmes një kontrate po heqin dorë nga disa pjesë të tyre, për ideale më të rëndësishme, që nuk janë në kundërshtim as me identitetet e tyre, porse, kjo heqje dorë nënkupton ta pranosh edhe tjetrin dhe të pranohesh nga tjetri. Pra, të bashkuar në dallueshmëri, është sllogani që mëton të realizohet kjo. Prandaj, kjo ideja e tretë, ku po zbehet identiteti kombëtar, më së shumti i kundërvihet idesë së bashkimit kombëtar si fillim, e më pak idesë së parë, ku bashkimin mund ta realizojmë dikund tjetër.

Ø

Në rastin e shqiptarëve gjendja është pak më ndryshe, sepse, për dallim nga të tjerët, hyrja në Bashkimin Evropian dhe pranimi i të tjerëve ashtu siç janë bëhet duke mos qenë në gjendje të japësh vlerësime për të tjerët, në fakt më i rëndësishëm është opinioni i tyre...

Ø

Në fillim të prillit, Republika e Shqipërisë u bë anëtar i ri, bashkë me Kroacinë, i NATO-s, dhe, më pastaj, kjo ka bërë kërkesën për të qenë vend kandidat për në BE. Qoftë anëtarësimi në NATO, apo edhe Kërkesa e saj për kandidate për anëtarësim në BE, bëhen duke mos planifikuar ndonjë strategji të përbashkët veprimi, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, si pranues të Pakos së Ahtisaarit, ne kemi pranuar mosndryshimin e kufinjëve të Kosovës. Sepse, ndër tjerash, aty thuhet se: “Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo të ndonjë pjese të ndonjë shtet”. Më shumë se kaq, ne kemi hequr dorë (të paktën në dokumenta) nga e kaluara jonë. Projekti i ndërtimit të shtetit të Kosovës nuk është mbështetur në të kaluarën, në atë që e dimë deri diku se çfarë ka qenë, poashtu, nuk është bazuar në sakrificën e brezave, të gjakut dhe truallit. Prandaj, kontrata që është pranuar (jo pa qëllim e cilësuar si ‘kompromis i dhimbshëm’), Kosovën e ka projektuar në idenë e asaj që do të ndodh, dhe që, në botën reale nuk mund ta prekësh, sepse kjo është shumë herët. E ardhmja, natyrisht se, nuk dihet çfarë do të jetë, porse, shihet me optimizëm, sidomos në rastin tonë.

Ø

Andaj, ngjarjet historike të ditëve të fundit, (veçmas anëtarësimi i Shqipërisë në NATO) po krijojnë bindjen e ndarjes së rrugëve për Kosovën dhe Shqipërinë, duke i menduar jo më si dy shtete që kanë qëllime të njëjta në raport mes vete. Por, si dy shtete që kanë qëllime të njëjta në raport me të tjerët. Kjo bindje mund të jetë krijuar edhe më herët, qysh me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pse? Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, pasvarësisht asaj që, mund të kenë simpati më të theksuar në raport me të tjera shtete, (e, kjo nuk mund të lë përshtypjen e të vepruarit si një shtet i vetëm) sepse, realisht jemi dy shtete, prandaj, do të jenë shtete normale në raport me anëtarë tjerë të Bashkimit Evropian, porse, edhe ndërmjet vete.

Ø

A duhet të rikthejmë kohën dhe të përmbysim gjithçka që është bërë? Natyrisht se jo. Madje kjo është e ditur, dhe që mëtohet. Sepse edhe po ta mendonim këtë, kjo është e pamundur. Por, ajo që duhet bërë është bashkërendimi dhe hartimi i politikave të përbashkëta, të cilat, lidhjen emocionale që ekziston sot, ta kthejnë në një lidhje fizike, e cila për shumë kohë nuk ka ekzistuar.

Botuar në gazetën EXPRESS, Prishtinë – 3 qershor 2009

Friday, May 29, 2009

INTERVISTË me: LUTFI HAZIRIN

HAZIRI: KOALICION PËR INTERESA SHTETËRORE, JO PËR ‘DASHNI’

  • E ndien mungesën e Rugovës. Thotë që kjo mungesë po vërehet edhe në jetën tonë. Koalicionin me PDK-në e konsideron si interes shtetëror, e jo ‘dashni’.
  • Thotë që LDK-ja është themeluese e kësaj Kosove që e jetojmë sot...
  • Blerim Kuqit i ka uruar sukses në AAK.
  • Periudhën e bashkëqeverisjes e konsideron si më historike që e ka pasur Kosova.

Flet Lutf Haziri, nënkryetar i LDK-së, në një intervistë të realizuar për Magazinën TREND

§

PRISHTINË, MAJ 2009 – LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS QË NGA FORMIMI I SAJ PO KALON NËPËR PERIUDHËN MË TË VËSHTIRË. DISA NGA FIGURAT E RËNDËSISHME NGA KJO PARTI, PAS ‘KUVENDIT TË KARRIKEVE’ IKËN DHE KRIJUAN NJË PARTI TË RE. NDËRSA SOT EMRA TJERA PO LARGOHEN NGA KJO PARTI. TË GJITHA KËTO PO NDODHIN NË LDK PAS VDEKJES SË RUGOVËS, E CILA, E KA TË PRANISHME MUNGESËN E TIJ.

Intervistoi:

VALMIR ELEZI

Z. Haziri, na intereson të dijmë se çfarë po ndodh në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Haziri: Ajo që po ndodh në LDK ka bëjë me procesin e brendshëm reformave. frymën koncensuale, LDK-ja po vazhdon ndërmarrjen e gjitha masave kanë të bëjnë me implementimin e pakos parë, tashmë vendosur, besojmë që shumë shpejt do të hyjmë procesin e ndërtimit të kornizës programore, përgatitjes procesit definon vizionin për Kosovën europiane. Është hapi i dytë me të cilin LDK-ja do të paraqitet me platformë të re, e cila në ideologjinë rugoviane do të pretendon që ta përgatisim veten për zgjedhjet e ardhshme.

Ju përmendët ideologjinë rugoviane, bazë cilës pretendon vazhdon rrugën LDK-ja… A po arrin Lidhja Demokratike e Kosovës të gjejë vetën pas vdekjes së Rugovës?

Haziri: Po sigurisht që mungesa e themeluesit dhe liderit ndikon shumë te partia politike, këtë rast edhe tek ne. Mungesa e tij, po vërehet edhe në jetën e Kosovës. Sidoqoftë, ndërtimi i atyre vlerave politike është punuar shumë në këtë drejtim, mendojmë që është baza kryesore që në të ardhmen do të ecim. Vlerë politike është tolerance politike, mirëkuptimi, angazhimi i përbashkët për shtet, ruajtja e unitetit, bashkimi i njerëzve për qëllime shteti të jetë funksional, demokratik dhe mbi të gjitha prosperues për njerëzit.

LDK-ja dhe LDD-ja thirren në filozofinë pacifiste Rugovës... Por, ndodhi LDD-ja u krijua pas një kuvendi jo paqësor… Komenti i juaj?

Haziri: LDD-ja është dal nga LDK-ja shenjë paknaqësive me zhvillimet kuvendin e fundit, dhe absolutisht është vendim i tyre. Shihet rezultati që pas zgjedhjve të fundit ka ndikuar shumë në humbjen e LDK-së. Por, kështu e ka jeta politike, njerëzit e gjejnë veten dhe shkojnë në grupim tjetër. Rugova si filozofi i takon gjithë popullit Kosovës, edhe si autoritet edhe si emër, dhe të gjithë atyre që e plotësojnë filozofinë e tij politike. Është një njeri ka marrë shumë çmime

ndërkombëtare për politikën e tij, për angazhimin e tij në interes të drejtave dhe mbrojtjes popullit të vet. Është diçka që gradualisht koha do ta dëshmojë. Por, ajo që do t’i ndajë edhe Kosovë, është se, Rugovën ka njerëz që e kanë dashur gjalli, e kanë respektuar dhe mbështetur politikisht. Dhe ka njerëz që e dojnë Rugovën së vdekuri, që nuk kanë mundësi ta mbështesin politikisht që thirren në emër të tij. LDK-ja e

ka pasur për nder që ta ketë kryetar dhe themelues. Ai e ka lënë LDK-në mbrapa si vlerë në jetën politike në Kosovë, dhe unë mendoj që ne do të ecim kështu.

Po ua bëjë këtë pyetje me qëllim dijmë nëse LDK, në zgjedhjet e ardhshme do ta përdor për imazh figurën e Rugovës sikurse në zgjedhjet e kaluara?

Haziri: Do të jetë çështje e zhvillimeve në përgjithësi, por, në zgjedhjet lokale ne do të koncentrohemi në zgjedhjen e problemeve lokale, probleme lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve. Roli ynë do të definohet me program alternativ, me angazhime konkrete, me ofrimin e programit të çdo komune specifikisht, në mënyrë që njerëzit të votojnë për programe.

Të gjitha këto, fjala vjen, largimi i Kuqit nga partia, pastaj krijimi i një partie të re nga LDK-ja pas kuvendit karrigeve, pse ndodhën gjitha këto një parti shquhej për unitetin përbrenda saj?

Haziri: LDK-ja ka qenë një lëvizje e madhe politike, e cila ne vete ka pasur të gjitha grupet e ndryshme branda saj, ideologjike, të interesit dhe grupet specifike që kanë përfaqësuar diçka. Nga LDK-ja kanë dal 13 parti politike për këto nëntëmbëdhjetë vite dhe shumë individ kanë hyrë e kanë dal. Ajo që LDK po bënë në këtë fazë, është profilizimi i saj si parti qytetare, moderne, e qendrës së djathtë, që për ideologji të vetën

e ka bërthamën e atij quhet nacionalizëm modern. Duke e ndërtuar jetën politike këto vlera, mendoj se do të arrijmë të përballojmë sfidat e passtatusit dhe problemet që janë aktuale në jetën tonë.

Ju e përmendët prej viteve ’90-ta nga LDK-ja kanë dal 13 parti, por, dalja e LDD-së vjen pas një kuvendi jo paqësor, që nxjerr në pah plasaritjet që kanë ekzistuar në këtë parti...

Haziri: kuvendin e fundit ka pasur konkurim për lidership, jo në kuptimin se kush do jetë, por, trasuesi i kësaj politike... sepse ne kemi pasur 4 kandidatë për postin e Kryetarit, të cilët dy kanë hyrë në rrethin për zgjedhjen finale. Votimi ka qenë demokratik, i transmetuar direkt për publikun, janë shtrënguar duart... Gjithçka ka qenë proces asaj që quhet vlerë demokratike. Zhvillimet e mëvonshme këtij kuvendi kanë bërë që t’i qesin hije të keqe LDK-së, fatëkeqësisht. Çdo ndarje nuk është e mirëpritur, dhe tash kemi të bëjmë me një problem tjetër politik, që unë rezervohem ta komentoj. Sidoqoftë, kemi qenë një periudhë shtetndërtimit, dhe këto janë pjesë të procesit demokratik, që mund të përballohen vetëm me unitet. Mbetet koha ta dëshmojë këtë. LDK-ja mbetet parti themeluese e shtetit, e cila ka ditur ta

artikuloj qartë kërkesën e popullit në vitet ’90-ta. Është parti që ka bërë pajtimin politik mes njerëzve, si pjesë e procesit të brendshëm... tani jemi në rrethana tjera, duhet ta integrojmë Kosovën në NATO dhe BE, që nuk janë sfida të përballueshme këtë gjendje që tani është Kosova...

Ju thatë që LDK ka themeluar shtetin e Kosovës. Cilin shtet? Atë të viteve ’90-ta, që nuk ka vlejtur, apo këtë të 2008-s?

Haziri: Këtë Kosovë është sot, e ka themeluar LDK-ja. Sigurisht secili qytetar e ka pjesën e vet e poashtu edhe miqtë tanë kanë kontribuar. Por, ne kemi qenë udhëheqës dhe vizionarë ndërtimin e këtij shteti.

Është bërë e madhe largimi i Blerim Kuqit nga LDK-ja dhe kalimi i tij AAK… Pse iku Kuqi nga LDK-ja?

Haziri: Besoj që duhet ta pyesni Kuqin për këtë…

Do të thotë nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga ana e LDK-së?

Haziri: LDK-ja nuk merret me vendimet e individëve. Ne e kemi mbështet, e kemi përgëzuar, i kemi uruar sukses. Tash e kemi konkurent, kuptimin politik. Besoj që Aleanca e ka fituar një njeri të mirë.

AAK-ja përmes deklaratave zyrtare, ka thënë që ikja e Kuqit nga LDK-ja dhe përcaktimi i Kuqit me vetdëshirë për të konkuruar për kryetar të Suharekës, do të bëjë që kjo parti të humb bastionin e saj dikurshëm, Suharekën. Komenti i juaj?

Haziri: Këto janë deklarata të partive politike dhe unë e respektoj synimin e tyre. Por, LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të jetë shumë konkuruese dhe partia kryesore rivale mbetet PDK-ja, ndërsa tjerat janë pjesë e procesit politik.

Çfarë janë përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale?

Haziri: Do të mbahen kuvende të jashtëzakonshme disa degë. Do të bëhen konsolidime të brendshme, ristrukturime, nominimet e hershme për kryetar komunave, janë pjesë e politikave tona të përgatitjes për zgjedhjet.

Ju thatë partia kryesore rivale e LDK-së është PDK-ja. Nëse flasim për më larg se zgjedhjet lokale, a e paramendoni një koalicion tjetër me PDK-në?

Haziri: Ne edhe këtë koalicion e kemi për interes të shtetit, nuk e kemi për ‘dashni’. Sepse, LDK-ja dhe PDK-ja, janë konkurent të natyrshëm politik, cilat kanë pasur dallime ideologjike, vazhdojnë me qenë partner në qeverisje, vetëm për një motiv, ta ndërtojmë Kosovën. 17 shkurti nuk kishte për të qenë kaq i lehtë po të mos ishte ky koalicion kaq i madh. Besoj një ditë kur LDK-ja do të arrij të bëhet parti e parë, në do të qeverisim edhe vetë. Por, aty ku është interesi i vendit, jemi të gatshëm të hyjmë në kompromise dhe sakrifica.

Si e vlerësoni këtë periudhë të bashkëqeverisjes?

Haziri: Periudha më historike që Kosova e ka pasur.

Magazina TREND, nr. 3 / Maj 2009, Prishtinë, Republika e Kosovës

Tuesday, May 5, 2009

KOSOVA, MES TË SHKUARËS dhe TË ARDHMES?

VALMIR ELEZI
- - -

Ndodh te ne, që, të ardhmen ta paraqesin edhe si objekt të studimit të historisë, duke i thënë ‘historia e së ardhmes’ (pa kaluar e ardhmja), që njëherit rrëshqasin në një lluft logjik dhe në një paarsyeshmëri, që paraqet një shfaqje të hapur të injorancës. E kam dëgjuar aq shpesh saqë kam harruar edhe emrin se kush përshembull e përdori i pari. Apo s’ka aspak rëndësi…

Pra, vetëm e shkuara mund t’i kalojë historisë për studim. E ardhmja që është vetëm si e tillë nuk i takon historisë. E ardhmja bëhet objekt i studimit të historisë vetëm atëherë kur kalon dhe kur i kalon asaj. Pra, kur ajo bëhet e shkuar. E jo siç ndodh zakonisht që disa ‘të ardhmen’ e bëjnë objekt të studimit të historisë edhe atëherë kur është e tillë, pra, e ardhme, ajo që nuk dihet. Që, duke qenë e tillë, nuk mund të studiohet. Siç nuk mund të shkruash studimin për një betejë që nuk ka ndodhur kurrë.

Ngjarjet e kohëve të fundit kanë bërë që të mendojmë elementet mbi të cilat qenka i ndërtuar shteti i Kosovës. Kushtetuta e shtetit tonë e tregon më së miri këtë. Kosova nuk është e projektuar në bazë të së shkuarës, në bazë të sakrificës së brezave, në bazë të gjakut të dëshmorëve! Kosova është projekt i ndërtuar në të ardhmen, në bazë të asaj që do të ndodh. Përmes disa festave zyrtare ku bëjnë pjesë dita e dëshmorëve dhe e flamurit, ka mbetur lidhja e vetme e jona me të shkuarën, por, e pamjaftueshme për të mos i thënë këto. Merreni Preambulën (Pjesa Ideore) e Kushtetutës, aty duke mos shkruar për të shkuarën vë në pikëpyetje nëse ka ndodhur ndonjëherë. Në këtë Pjesë thuajse gjithçka është e përqëndruar në të ardhmen, fjala vjen sikurse në fillim të saj, e që është: “Ne, populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet”. Pra, për të ‘ndërtuar të ardhmen’, duke mos përmendur as këtu, por, as edhe në vazhdim ‘të kaluarën’.
Madje sikur Kosova të ndërtohej në bazë të konceptit të historisë, të gjakut të derdhur për këtë tokë, do të shpaloste një projekt ‘të të kundërtave’. Pse? Serbët e Kosovës “parapëlqejnë” projektin e shtetit të Serbisë, që e parasheh Kosovën si pjesë të saj, e dominuar nga jo shumica në këtë vend. Shqiptarët “parapëlqenin” projektin e shtetit kombëtar, ku do të dominonte shumica në këtë vend, dhe i ndërtuar në bazë të historisë së tij, që në ekzistencën e tyre njeh vetëm anën e errët të tyre. Natyrisht se, njerëzorja i përket shqiptarëve të Kosovës. Por, dihet që negociatat kanë sjellur edhe kompromisin (e dhimbshëm), duke “balancuar” zgjidhjen e kësaj çështjeje. Duhet pasur parasysh se, kjo zgjidhje nuk duhet të krijojë bindjen se, nuk mund të forcohemi si të tillë, dhe që, kjo do ta bëjë Kosovën një shtet të kufizuar, e që, nuk do të arrinte synimet për t’u forcuar të paktën për të qenë në gjendje të përballet me politikat grabitëse a jo humane të akademikëve kriminelë, të vendëve fqinje, që kanë pretendime territoriale, të ndërtuara nga ata, e më pas edhe të realizuara nga shteti.
Në romanin e tij të njohur “Tri këngë zie për Kosovën”, Ismail Kadare, përshkruan kontradiktat që kanë shoqëruar popullin shqiptar dhe atë serb, për shumë shekuj. Edhe atëherë kur guslari serb, Vladan, dhe lahutari shqiptar, Gjorg Shkreli, ishin në të njëjtën anë, pra kishin ardhur me princin dhe kontët e tyre, Llazarin dhe Gjergj Balshan, për t’i kënduar lavdisë së tyre, në luftë kundër armikut të përbashkët. Në natën e fundit para betejës së Kosovës, së bashku me ta, guslari serb dhe lahutari shqiptar kishin shkuar në shatorren e aleatëve, ku të gjithë ata ishin bashkë dhe kishin filluar të këndonin. Fillimisht, guslari serb këndonte: “Dilni serbë, se shqiptarët na e morën Kosovën”, dhe më pas lahutari shqiptar: “Ngrehuni shqiptarë, Kosovën po e merr shkjau”. Kjo tregon se, këngët shqiptare dhe serbe në çdo gjë janë të kundërta, por, edhe më shumë se, në një këngë.
Projekti i ndërtimit të shtetit të Kosovës, i menduar në disa parime të demokracisë liberale, ndër tjerash, të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk është në kundërshtim me mëtimet e shqiptarëve të këtij vendi, në të kaluarën. Lexojeni historinë tonë dhe do ta vëreni që, asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur as ambicie territoriale-pushtuese, as ekonomike, pra, nuk kanë zhvilluar luftëra për arsye të tilla, ose të një niveli të përafërt. Zakonisht kanë bërë luftëra për arsye se, kanë qenë të detyruar si pasojë e mungesës së këtyre lirive, fjala vjen, mungesa e të drejtave elementare për jetesë, për zhvillimin ekonomik, arsimor a politik, që njëherit, këto të drejta, parashihen edhe në dokumente relevante ndërkombëtare.

Janë dy çështje që rrallëherë thuhen në lidhje me këtë. Çështja e parë është se, të gjithë e dimë këtë. Dhe, çështja e çështjes së dytë është se, a do të thotë kjo që, kemi filluar të mësohemi me këtë?
- - -
Botuar në TREND, 19 mars 2008, dhe Express 26 mars 2008.

BASHKIMI EVROPIAN dhe KOSOVA

VALMIR ELEZI
- - -

Në kohën kur Evropa kishte rrezik të zhdukej siç thonin profecitë e shumta në lidhje me vdekjen e këtij Kontitneti të Plakur, kishte filluar të jetësohej ideja (e shprehur shekuj më parë nga shumë teoricienë) e një Evrope të bashkuar në dallueshmëri. I “lindur” pas Luftës së Dytë Botërore, preokupimi i tij, i parë, ishte që të bashkojë kombet dhe popujt e Evropës, e njëkohësisht të parandalonte më të keqen, e mundshme. Nuk i kam besuar asnjëherë asaj se, gjoja BEThÇ na qenka krijiuar për të pamundësuar forcimin e sërishëm të Gjermanisë (të mundur), për një arsye të vetme: në atë kohë, në të gjithë Evropën u vendos një sistem rigoroz i racionimit të ushqimit dhe tani në shumë vende racionet ishin më të vogla sesa në kohën e luftës. E, ai që humbiste triskat e racionit të ushqimit vuante nga uria.

Në fakt qëllimi i amerikanëve kur hynë në Luftën e II Botërore ishte: të fitonin luftën dhe të kthenin djemtë në shtëpi. Por, kur më 1948 Stalini i kishte thënë Kardelit ministrit të jashtëm të Jugosllavisë se, “ne kurrë nuk do të lëvizim nga Gjermania”, atëherë për amerikanët një qeveri policore nuk mund të mirëpritej dhe të pritej në heshtje pranuese.

Disa nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe përkundër faktit se, disa nga vendet e kësaj organizate nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tashti. Është interesant edhe një fakt tjetër, mosnjohja deri më tashti e pavarësisë së Kosovës nga vendet e ndryshme islame, kur shqiptarët kanë qenë jo shumë kohë më parë, shpeshëherë të pafavorizuar për shkak të besimit (të të shumtës), që përkon me të tyre, dhe të etiketuar “padrejtësisht” si islamik fundamentalistë...

Për shumëkënd ideja e Bashkimit Evropian, respektivisht e ardhmja e tij, mund të jetë dyshuese. Këta i besojnë dyshimit të tyre, dhe besimin e gjejnë në shprehjen e dekartiane: “Mos dysho në dyshimin tënd”. Gjendja reale tregon se, slogani “të unifikuar në diversitet” nuk ka gjetur zbatueshmëri të theksuar. Lënja jashtë tij edhe Turqinë zbeh të tashmen e kësaj superstrukture shtetërore, më saktësisht domëthënien e këtij slogani. Ajo parashtroi kërkesë për pranim më 1987. Orari për Turqinë është më pak i qartë. Turqia është një prej partnerëve më të vjetër tregtar të BE-së, me një marrëveshje asocimi që nga 1963, që tashmë përfshin bashkimin edhe të doganave.

Edhe pse kërkohet që misioni EULex të funksionoj nën UNMIK, deri më tashti nuk është dhënë asgjë përfundimtare për mënyrën e fillimit të funksionimit të këtij misioni. Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë është i pari i këtij lloji, që pritet të praktikohet. Kësisoj, edhe në Kosovë, disa individë, grupe a çfarëdoqofshin, vetë misionin evropian e shohin me skepticizëm, shpeshëherë duke i dhënë tiparet që i përgjasojnë misionit të Kombeve të Bashkuara, respektivisht UNMIK-ut.

Për vazhdimin e misionit të UNMIK-ut (edhe nëse i rikonfiguruar paraqitet si “engjëll”) vlerësimi është i pavolitshëm, bazuar në atë se, demokracia në Kosovë (demokraci i thënqin) gjatë këtyre viteve të pasluftës ka qenë e pakontrolluar dhe me një kryeadministrator Kosova i ngjante një monarkie të vonuar, e paarsyeshme për vetë faktin se, në këtë vend që nga 99-ta kanë qenë të pranishme shtete që për nga regjimi janë demokraci liberale... Meqenëse qëllimi kryesor i shtetit është të rris mirëqenien e qytetarëve–shtetasve, misioni i Bashkimit Evropian mund të ndihmoj në këtë drejtim, por, jo edhe nën ombrellën e UNMIK-ut, për shkak që puna e tij nuk ka dhënë diçka të tillë. Sipas një profesori tim, kohëve të sotshme, shumë njerëz në perëndim, marrin gradën doktor shkence duke pasur për disertacion doktorature tema të natyrës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ku për më tepër UNMIK-u që në Kosovë ka ardhur nga OKB, e që kjo e fundit është organizëm që ka për qëllim, ndër tjerash, mbikqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut. Andaj, vazhdimi i mëtejshëm i misionit të UNMIK-ut në Republikën e Kosovës, pas 15 qershorit, bënë që edhe misioni i Bashkimit Evropian të shihet me skepticizëm, me theks të veçantë i futur nën ombrellën e të parit.

Duke e cituar Pol Valeri se, “në histori nuk ka budallallëk më të madh sesa rivaliteti ndërmjet shteteve evropiane dhe se politika evropiane nuk përputhej me mendimin evropian si për sa i përket thellësisë së tij, ashtu edhe anës cilësore. Fuqia rrezatuese dhe e qëndrueshmërisë të qytetërimit të saj ishte shkatërruar nga grindjet e saj të brendhsme”. Pas Luftës së II Botërore, popujt e Evropës ishin duke paguar një çmim të lartë për grindjet ndërmjet vendëve të tyre. Kurse e ardhmja politke e Evropës (“fati i kontinentit”) vendosej ndërmjet Ëashingtonit dhe Moskës.

Kohëzgjatja për aderim, në të ardhmen, e Republikës së Kosovës në strukturat e kësaj superstrukture shtetërore, do të jetë edhe produkt i vetë Bashkimit Evropian. Sepse në njëfarë mënyre, Bashkimi Evropian përmes misionit të tij, është bashkëpjesëmarrës i projetimit dhe ndërtimit të së ardhmes së Kosovës!
- - -
Botuar në Express, 2008.